Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi nuk ka kuorum për t’i vazhduar masat emergjente për energjinë

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar vendimin e Qeverisë për vazhdim të masave emergjente për furnizim me energjinë.

Vetëm 58 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë marrë pjesë në votimin e këtij vendimi.

Sot, pas miratimit në Komision, në rend dite në seancë u fut mocioni për vazhdim të masave emergjente.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se ky vendim po përcillet me mostransparencë në tenderë.

“Nuk po e di çka shërben shpallja e gjendjes emergjente. Kjo paaftësi kur po bëhen 2 vjet që po ballafaqohesh me probleme e njëjta duhet t’i largoni këta njerëz pak. Kryeministri duhet të reflektojë. Ne jemi për t’ju ndihmuar ta përballojmë këtë gjendje sa më lehtë. Në radhë të parë këtë proces po e karakterizon një mos transparencë e madhe. Nuk e dimë sa para janë shpenzuar” – ka thënë ai.

Me shumicë votash, Komisioni e ka miratuar vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, potencoi se muaj më parë disa njësi të KEK-ut kanë qenë jashtë operimit si shkak i ndërhyrjeve.

“Evropa është duke vazhduar të kalojë në krizë energjetike edhe më të rëndë se viti i kaluar. Ne duke qenë se jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet, para disa muajsh kemi pas edhe disa njësi jashtë operimit për shkak të ndërhyrjeve që është dashur të bëhen për përgatitjet për dimër”- tha ajo duke shtuar se kjo ka qenë arsyeja pse kanë kërkuar masa para dy muajsh dhe që po kërkojnë edhe tani.

Ajo po ashtu tregoi se po vazhdon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike dhe kjo do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim.

Ministrja Rizvanolli tha se masa emergjente mund të kërkohen sipas ligjit deri në përfundimin e procesit të ngrohjes ose deri në muajin mars.

Por, sipas saj, nëse ju duhet të rishpallin masa emergjente pas këtij afati, do të duhet t’i rishpallin prej fillimit e jo të kërkojnë vazhdim.

Shfuqizohet vendimi i vitit 2018, punëtorët e KEK-ut do të marrin thëngjill në formë dhurate