Pritet shtrenjtimi i energjisë prej 15% për të gjithë konsumatorët

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar të hyrat maksimale prej 398.4 milionë euro për KESCO-në apo 14.7% më shumë se vitin e kaluar.

Pra, 14.7% apo rreth 50 milionë euro KESCO do t’i mbledh nga qytetarët e Kosovës për vitin 2023/2024.  Andaj, pritet që në Kosovë të ketë shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, për të cilën Bordi i ZRRE do të mblidhet përsëri javën e ardhshme.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se rritja do të jetë lineare duke prekur të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Fejzullahu tha se bllok-tarifat do të mbesin të njëjta ndërsa deri në javën tjetër janë duke pritur komentet nga KEDS, KESCO, KOSTT dhe KEK për rritjen e tarifave të energjisë.

“ZRRE zakonisht duke marrë parasysh edhe vitin e kaluar e ka shpërndarë koston në bazë të atyre që shkaktojnë kosto në sistem. Rritja pritet të shpërndahet për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, ku aktualisht kemi 9 kategori. Bllok-tarifa do të jetë e njëjtë dhe shtrenjtimi do të bëhet në mënyrë lineare”- tha kryetari i Bordit të ZRRE-së.

“…rritja pritet të jetë rreth 15% por saktësisht do të dihet në mbledhjen tjetër”- deklaroi ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

KESCO në raportin e tyre kanë thënë se kiza energjetike dhe ajo ekonomike që e kanë karakterizuar vitin 2022 dhe që do të vazhdojë të jete prezent edhe përgjatë vitit 2023, tashmë e kanë dëmtuar rëndë gjendjen financiare të FSHU-së.

Tarifat e energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Në muajin shkurt, Qeveria e Kosovës ishte zotuar se do t’i jap 90 milionë euro për subvencionim të energjisë.

Në shtator të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për pakon e re për ta përballuar inflacionin. Ai kishte bërë të ditur se do të subvencionohen të gjithë qytetarët të cilët kursejnë rrymën elektrike.

Ishte thënë se qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovatë në shtatorin e vitit 2021 ndërsa në shtatorin e vitit 2022 ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).