Takimi vjetor i dialogut ekonomik dhe financiar të Këshillit të BE-së. Foto: Ministria e Financave

Kosova dhe Bashkimi Evropian miratojnë udhëzimet e përbashkëta të politikave ekonomike

Në takimin vjetor të dialogut ekonomik dhe financiar të Këshillit të BE-së, përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë kanë diskutuar lidhur me Programet e tyre të Reformës Ekonomike.

Sipas njoftimit, ky takim ka rezultuar marrëveshjen e përbashkët të gjashtë pikave specifike udhëzuese të politikave ekonomike që do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë përgjatë vitit të ardhshëm.

Në këtë takim gjithashtu u shqyrtua Programi i Reformës Ekonomike të Kosovës 2023-2025.

Sipas këtij raporti, aktiviteti ekonomik në Kosovë përgjatë vitit 2022 u nxit nga mbështetja e konsiderueshme e Qeverisë për të zbutur ndikimin e krizës energjetike.

“U theksua se vendi duhet të marrë parasysh rreziqet ekonomike në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, veçanërisht lidhur me çmimet e ushqimeve dhe energjisë, si dhe dinamikën tregtare me partnerët kryesorë tregtarë”- thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit, në këtë takim është thënë se Kosova duhet të reformojë sektorin e energjisë për të përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike dhe tranzicionin drejt burimeve të ripërtrishme.

“Së fundi, Kosova është zotuar për zbatimin e Skemës së Garancisë Rinore dhe përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e sistemit arsimor për të rritur punësimin dhe për të zbutur mospërputhjet e shkathtësive në tregun e punës u theksua se duhet të vazhdojnë”- ka njoftuar ministria e Financave.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë në Bashkimin Evropian paraqesin Programet vjetore të Reformës Ekonomike (PRE) në Komisionin Evropian, të cilat përmbajnë projeksione afatmesme makroekonomike.

Në njoftim thuhet se, këto programe miratohen me udhëzime politikash specifike për secilin vend, të cilat rrjedhin nga prioritet e politikave ekonomike për 12 muajt në vijim.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike.

Në shtator të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për pakon e re për ta përballuar inflacionin. Ai kishte bërë të ditur se do të subvencionohen të gjithë qytetarët të cilët kursejnë rrymën elektrike.

Ndërsa nga, subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes thirrjes për subvencionim të pajisjeve efiçiente ju ka mundësuar qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë.