Mbledhja e Kuvendit Komunal të Kaçanikut, Foto: KALLXO.com

Kuvendi Komunal i Kaçanikut diskuton raportin e ekipit të Auditimit Social (VIDEO)

Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka diskutuar sot raportin e ekipit të Auditimit Social, i cili është formuar për të monitoruar projektin e ndërtimin e objektit të zjarrfikësve në këtë komunë.

Një grup prej 16 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Kaçanikut dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e fazës së dytë të projektit “Ndërtimi i objektit të zjarrfikësve”.

Gjetjet e raportit 28-faqësh, në pika të shkurta u lexuan para asamblistëve të Kuvendit Komunal të Kaçanikut, të cilëve paraprakisht u ishte dorëzuar raporti i plotë. Më pas pati një debat disaminutësh mes pozitës dhe opozitës mbi gjetjet, rekomandimet dhe punën e qytetarëve në monitorim të raportit.

Asamblisti i LVV-së, Agim Mani, tha se gjetjet e këtij raporti mjaftojnë që ekzekutivi të përmirësohet.

Ndërsa asamblisti i Nismës, Agim Çaka, theksoi se puna e auditimit social është njëra prej më mirave që është bërë dhe që është diskutuar në Kuvend Komunal.

“Mua po më vjen mirë që ka një iniciativë të tillë të ekipit. Duhet me pas kësi lloj auditimi edhe në projekte të tjera. Qëllimi i ekipit të Auditimit ka qenë që përmes Kuvendit me ardhë gjetjet te qytetarët. Unë mendoj që është njëra prej punëve më të mira që është bërë deri tash edhe njëri prej debateve më të mira që është në interes të qytetarit” – potencoi Çaka.

Ndërsa i pari i Kuvendit Komunal të Kaçanikut, Kemal Mërseli, e falënderoi ekipin për iniciativën.

“Duhet me i falënderu të gjitha iniciativat si kjo që shprehin vullnet dhe interesim me na ndihmu me qenë ne më syçelë në punën tonë të përditshme. T’u iu besu këtyre gjetjeve ne bëhemi më profesional. Iniciativat qytetare gjithherë janë të mira, e krijojnë një kontroll mbi qeverisjen” – përfundoi Mërseli.

Më pas e mori fjalën edhe asamblistja e LDK-së, Ardita Rrahmani, e cila u shpreh se “duhet me qenë falënderues që jemi nën lupën e dikujt për me na auditu”.

Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.