Një pjesë e parkut "Isa Berisha" në Han të Elezit, Foto: KALLXO.com

Parku "Isa Berisha" nën monitorimin e ekipit të Auditimit Social në Han të Elezit

Një grup prej 22 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Hanit të Elezit dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e projektit “Rregullimi i parkut në rrugën “Isa Berisha” (asfaltim, trotuar, ndriçim publik, gjelbërim).

Ekipi i Auditimit Social në Komunën e Suharekës fillimisht u trajnua për dy ditë me radhë mbi procesin e Auditimit Social dhe monitorimin e projektit dhe më pas u angazhuan për të monitoruar projektin e shtegut të ecjes, që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij. Gjatë periudhës shtatë-mujore, puna e tyre vazhdoi me hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren dhe në fund puna e ekipit të Auditimit Social në Suharekë u finalizua me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.

Raporti i Auditimit Social në Komunën e Hanit të Elezit paraqet të dhëna të grumbulluara nga ekipi në mes muajve korrik dhe nëntor 2023. Në të janë kategorizuar gjetjet në katër grupe: gjetjet në procesin e konsultimeve me qytetarët, në procesin e planifikimit, në fazën e kontraktimit dhe në fazën e implementimit të kontratës. Për secilën nga këto faza ekipi i Auditimit Social në Komunën e Hanit të Elezit ka dalë edhe me rekomandime.

Në raportin 30 faqe, ekipi ka renditur gjetjet. Ekipi ka konstatuar se Komuna e Hanit të Elezit ka realizuar diskutim të veçantë publik për projektin e parkut.

Ekipi ka gjetur se Komuna e kishte publikuar kontratën e nënshkruar në mes komunës dhe kompanisë ndërtuese, mirëpo e njëjta nuk ishte e plotë. Në kontratën e publikuar në E-prokurim mungonin punët që ishin paraparë të realizoheshin si dhe çmimet për secilin pozicion.

Po ashtu, në raport është evidentuar se projekti ekzekutiv i parkut “Isa Berisha” i ishte ofruar ekipit të Auditimit Social pas dërgimit të kërkesave për qasje në dokumente publike.

Ekipi ka evidentuar po ashtu se i gjithë sistemi i ujitjes është i ndërtuar, duke përfshirë edhe pusin. Mirëpo ekipi i Auditimit Social gjeti se pusi nuk ka ujë. Pusi në thellësi prej 5-metrave është pa ujë dhe si rrjedhojë i tërë sistemi është jofunksional. Disa pemë në park janë tharë në mungesë të ujit ndërsa bari gjatë verës është i thatë.

Raportin e plotë me gjetjet dhe rekomandimet e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Hanit të Elezit mund ta gjeni KËTU.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.