Kuvendi Komunal i Prishtinës shfuqizon vendimet për planin rregullues në 'Kalabri' dhe 'Arbëri' - VIDEO

Mes tensionesh e diskutimeve, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi për shfuqizimin e vendimit të planit të hollësishëm rregullues për lagjen Kalabria, në mbledhjen e dytë që është duke u mbajtur.

Asamblistët opozitarë nuk kanë marrë pjesë fare në dy votimet.

Një qytetar nga lagja ‘Kalabria’ që ndodhet në sallën e kuvendin komunal u shpreh i revoltuar nga ky votim. “E kontrabanduat votimin”, tha ai.

Gjithashtu edhe pika tjetër kaloi – propozimvendimi për anulimin e vendimit për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D 2” në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3” i miratuar me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin, i datës 04.05.2015.

Kryetari Përparim Rama tha se edhe për këtë vendim është kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Kjo është çështje e njëjtë sikurse edhe ajo e Kalabrisë. Na është kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që t’i shfuqizojmë sepse janë të jashtëligjshme, prandaj e kemi sjellë këtu”, tha kryetari Përparim Rama.

Tri grupet parlamentare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që të largohet pika 3 dhe pika 4 nga rendit i ditës në seancën që është duke u mbajtur aktualisht.

Por nuk morën votat e mjaftueshme që të largohen nga rendi i ditës asnjëra pikë.

Përfaqësues të lagjes “Kalabria” në kryeqytet të cilët ndodhen në sallë, janë shprehur të tensionuar me asamblistët pozitar dhe qeverisjen LDK-PDK për iniciativën e tyre për shfuqizimin e këtij vendimi. Ata kanë paralajmëruar edhe padi. Po ashtu thonë se po ndihen edhe të diskrimuar si lagje. Ankesa kyçe e tyre është që mos të zbritet koeficienti nga 2.4 sa është miratuar nga qeverisja e kaluar.

Në shenjë revolte ndaj kësaj pike të rendit të ditës, asamblistët opozitar të LVV-së, AKR-së, AAK-së kanë lëshuar sallën. Këta asamblistë propozuan më herët që të largohen kjo pikë dhe ajo 4 për lagjen Arbëria, por që nuk mori votat e mjaftueshme.

Kryetari Përparim Rama deklaroi se ky vendim është kthyer i jashtëligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Ndërkaq, Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje kishte deklaruar se shfuqizimi i vendimit të planit rregullues në lagjen “Kalabria” do të bllokojë “Rrugën A”.

Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë kanë protestuar prapë para komunës së Prishtinës për mos-shfuqizim të planit rregullues që ishte miratuar në nëntor të vitit 2021. Banorët i kanë bërë thirrje kryetarit, Përparim Rama të mos e bllokojë lagjen “Kalabria”.

KALLXO.com është duke e transmetuar drejtpërdrejt këtë mbledhje: