Sali Berisha - Foto: Facebook / Sali Berisha

Kuvendi i Shqipërisë i hap rrugë arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 75 vota kërkesën e SPAK për masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berishës ka reaguar jashtë Kuvendit pas miratimit të kërkesës së SPAK.

 

“Kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë, tmerrin që përjetojnë sepse dështuan në sipërmarrjne e tyre në kriminale në historinë e demokracisë.Një përpjekje fund e krye anti-ligjore, anti-kushtetuese, të bazuar në shpifjen, trillimin, manipulimin e mijëra mijëra dokumenteve zyrtare. Mendojnë se duke vepruar në këtë mënyrë si sot do të mund të bien ne qetësi. Kam bindjen së kjo ditë do të jetë një ditë frymëzimi për të gjithë shqiptarët, që do t’u rikujtojë atyre se misioni i tyre kryesor është o sot o kurrë të përmbysin narko-diktaturën”- thuhet në reagim.

Gjykata Kushtetuese nuk pranoi një kërkesë të disa deputetëve të opozitës për pezullimin e masave të sigurimit të caktuara nga Gjykata e Posaçme.

Më 15 dhjetor, një grup prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit kërkuan në Gjykatën Kushtetuese intepretimin përfundimtar të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, duke  parashtruar se ndaj Berishës janë vendosur masat shtrënguese “Detyrimi për paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pa u kërkuar më parë autorizimi i Kuvendit, sipas përcaktimeve të pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës.

Ata kanë pretenduar se në këto kushte, vendimet gjyqësore për caktimin e këtyre masave ndaj ish-kryeministrit Berisha kanë krijuar një mosmarrëveshje kompetencash midis organit të Kuvendit nga njëra anë, dhe organeve të SPAK-ut dhe GJKKO-së nga ana tjetër. Sipas grupit të deputetëve lind nevoja e interpretimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës. Ata petenduan se këto masa janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, për rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e tyre.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha gjatë një konference për shtyp se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare duke arsyetuar se, neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.

Po ashtu, është çmuar se bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit, nga njëra anë, dhe SPAK dhe GJKKO, nga ana tjetër.

“Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim, një e pesta e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme që nuk mund të barazohen me njëri – tjetrin”, vlerëson shumica e trupës së gjyqtarëve Kushtetues.

Për rrjedhojë, është çmuar se grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, me argumentin se ai nuk është subjekt në konfliktin e parashtruar, pasi nuk i është marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë.

“Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit,” arsyeton shumica dhe bazuar në këto arsye ka vendosur të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare – prej nga mbeten pa u shqyrtuar në themelin e tyre pretendimet e deputetëve dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj Berishës.

Kryetarja Zaçaj pohoi se, të drejtën për kërkimin e interpretimit të vendimarrjes së Gjykatës së Posaçme e ka ish-kryeministri Berisha, pas përfundimit të gjykimit në gjithë shkallët e gjyqësorit. Sipas saj, në momentin aktual janë të legjitimuara të bëjnë kërkim në Gjykatën Kushtetuese palët e përfshira në konflikt – SPAK, Gjykata e Posaçme dhe Kuvendi.

Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë miratoi të hënën një kërkesë të SPAK për të lejuar caktimin e një mase arresti ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv në atë që njihet si afera me pronat e Klubit Partizani, pasi Berisha nuk zbatoi masën e mëparshme për detyrim paraqitje./reporter.al