Ndërtesa e Gjykatës së Lartë në Tiranë | Foto nga LSA

Shqipëri: Gjykata e Lartë urdhëron SPAK-un të hetojë ‘21 janarin’

Gjykata e Lartë në Shqipëri urdhëroi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të nisë hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 janarit, që u vranë në protestën e vitit 2011.

Kërkesa në gjykatë ishte dorëzuar nga familjarët e Aleks Nikës, pasi SPAK-u nuk pranoi të regjistrojë kallëzimin penal të dorëzuar nga avokati i familjes së viktimës.

Më 21 janar të vitit 2011 në sheshin para Kryeministrisë në Tiranë u vranë katër protestues.

Protesta u thirr në atë kohë nga Partia Socialiste, që ishte në opozitë, e drejtuar nga Edi Rama, sot kryeministër i shtetit.

Qytetarët u thirrën në shesh pas akuzave të opozitës se Qeveria ishte përfshirë në akte korrupsioni, pas shfaqjes së një videoje të zëvendëskryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta me ministrin Dritan Prifti, të cilët diskutonin për një aferë prej 700 mijë eurosh.

Gjykata e konsideroi jo të drejtë vendimin e SPAK-ut për të mos nisur procedimin penal dhe i kërkoi të regjistrojë si procedim, kallëzimin e dorëzuar nga familja Nika, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg, më 14 janar.

Strasburgu e konsideroi “21 janarin” krim shtetëror.

Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës, tha pas vendimit të Gjykatës së Lartë se ka besim se SPAK-u do ta shohë me objektivitet këtë çështje.

“Kemi paditur gjithë zinxhirin drejtues, nga Sali Berisha deri te më i vogli”, tha e veja e Aleks Nikës.

Ndërsa avokati Idajet Beqiri u shpreh para gazetarëve se do të dorëzojë në SPAK edhe një audio-incizim të ri rreth ngjarjeve të 21 janarit.

“Ne i patëm thënë SPAK-ut se kishim edhe audio-incizimin që donim ta dorëzonim vetëm aty. SPAK-u nuk e kishte vullnetin, as ligjor, as moral dhe nuk e pranoi fare. Ne tani do e dorëzojmë patjetër regjistrimin menjëherë në SPAK, sapo të thirremi”, u shpreh Beqiri.

Një ditë më parë e veja e Aleks Nikës iu drejtua Gjykatës së Lartë me një letër.

“Duhet të pyeten nga SPAK-u, të gjithë personat që, për shkak të detyrës, kanë qenë të pranishëm në godinën e Kryeministrisë në momentin që ka ndodhur ngjarja, si ish-kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Saimir Muça. Po ashtu ish-presidenti Bamir Topi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kryetari i Shërbimit Informativ, Bahri Shaqiri e tjerë”, thuhej në letër.

Familja e Aleks Nikës ka deklaruar se zotëron audio-incizime, ku dëgjohen komunikime me radio të komandantëve të Gardës së Republikës.

Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për ‘21 janarin’, pasi nuk kishte arritur të identifikonte autorët e dy prej vrasjeve, konkretisht të Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, por më 2021 i rihapi ato dhe aktualisht po i vijon.

Në protestën e 21 janarit të vitit 2011, protestuesit u përleshën për disa orë me policinë dhe mbetën të vrarë katër protestuesit, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Për vrasjet e 21 janarit janë dënuar me një vit burgim ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, dhe me tre vjet burgim gardisti Agim Llupo.

Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbetën pa autorë./REL