Kuvendi i Kosovës mban nesër dy seanca, një të rregullt e një të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë nesër dy seanca, një të rregullt dhe një të jashtëzakonshme.

Seanca e rregullt është paralajmëruar për në ora 10:00.

Ndërsa, në ora 14:00 deputetët pritet të mblidhen për seancë të jashtëzakonshme të thirrur për çështjen e teksteve shkollore, e cila ishte caktuar më 4 shtator por kishte dështuar në mungesë kuorumi.

Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.

Në seancën e rregullt, të parën për sesionin vjeshtor të Kuvendit, pritet të shqyrtohen tetë pika të rendit të ditës.

Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës e pyetjeve parlamentare, në rend të ditës është edhe votimi i propozim-rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Seanca plenare

Rendi i ditës

  1.  Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
    2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3.    Pyetjet parlamentare,
    4.    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    5.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
    6.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
    7.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
    8.    Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Seancë e jashtëzakonshme

Rendi i ditës

  1.  Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.