Kushtetuesja: Kërkesa e presidentit Thaçi do të trajtohet me urgjencë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e presidentit të vendit Hashim Thaçi për vendimin e djeshëm të Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe makinave.

Sipas njoftimit, kërkesa e presidentit për objekt të shqyrtimit ka “vlerësimin e çështjes së përputhshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/15, të datës 23.03.2020, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”.

Duke iu referuar edhe kërkesës për vendosjen e masës si dhe me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, Kushtetuesja ka kërkuar që palët t’i dorëzojnë komentet e tyre në dy afate kohore.

“Komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 24 mars 2020, deri në orën 22:00. Komentet përkitazi me kërkesën në përgjithësi, t’i dorëzojnë në Gjykatë në afat prej tri (3) ditësh nga momenti i pranimit të njoftimit për regjistrimin e kërkesës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

Në komunikatë po ashtu bëhet e ditur se njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe për dorëzimin e komenteve tashmë u është dërguar: Zyrës së Kryeministrit të Kosovës; Kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe Avokatit të Popullit.

Sipas tyre kërkesa e Presidentit do të trajtohet me urgjencë dhe prioritet.

“Duke pasur parasysh situatën ekzistuese në të cilën ndodhet vendi ynë, Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet të lartë”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Ndërsa këtë vendim presidenti e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ku ka kërkuar të vendoset masë ndaj këtij vendimi si dhe i ka shkruar letër Kurtit duke i kërkuar pezullimin e vendimit.