Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kushtetuesja përdori kritere favorizuese, eliminoi konkurrencën kur bleu 10 iPhone
Është e thirrur për të mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e të gjitha ligjeve në Kosovë, por, Gjykata Kushtetuese gjatë vitit të kaluar ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, duke eleminuar konkurrencën.
Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit në një raport për këtë institucion ka gjetur se një tender për blerjen e telefonave të mençur kishte disa specifika që eliminonin konkurrencën.
Përmes tenderit, Gjykata Kushtetuese kishte blerë 10 telefona të mençur. Çmimi për një telefon kushtonte 889 euro e 90 cent ndërsa çmimi total i kontratës ishte 8 mijë e 879 euro e 85 cent.
Por, sipas ZKA-së, procedurat që parashihen me ligj, nuk ishin zbatuar.
“Në procedurën e prokurimit “Furnizim me aparate telefoni/smartphone”, në vlerë 8,880€, GJKK me rastin e përcaktimit të specifikave në dosjen e tenderit, kishte përdorur kritere favorizuese të cilat kishin eliminuar konkurrencën”, thuhet në raportin e Auditorit.
“Kjo pasi që, tek specifikacioni teknik ishin vendosur të gjitha tiparet e telefonit që e karakterizojnë brendin Iphone dhe për më tepër, tek modeli i kërkuar ishte specifikuar edhe emri i brendit përkatës”, thuhet tutje në raport.
Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak se njësia kërkuese nuk kishte marrë parasysh rregullat ligjore që ndalojnë favorizimin e brendeve apo Operatorëve Ekonomik.
“Vendosja e kritereve favorizuese në specifikime teknike shkakton trajtim jo të barabartë apo diskriminimin e operatorëve ekonomik dhe dëmton konkurrencën”, thuhet tutje në raport.
Gjykata Kushtetuese kishte blerë telefona të mençur edhe në vitin 2017.
www.kallxo.com