Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Kërkohet shkarkimi i prokurorit të rastit të Sebahate Morinës

Para Këshillit Prokurorial të Kosovës është mbajtur protestë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për rastin e Sebahate Morinës, e cila e kishte raportuar dhunën e ushtruar ndaj saj në organet kompetente, por 11 ditë më pas, ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili pastaj kishte kryer vetëvrasje.

Kjo protestë është organizuar nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA dhe Rrjeti i Grave të Kosovës – RRGK.

Leonida Molliqaj nga organizata “QIKA” tha se edhe pse janë bërë dy javë nga nxjerrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i bën përgjegjës Prokurorinë dhe Policinë për mohimin e jetës të Sebahate Morinës, nuk është ndërmarrë ende asnjë hap nga institucionet.

Mirëpo, vetëm 23 minuta pas fillimit të kësaj proteste, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti.

Me pankartën me mbishkrim “Shteti fajtor për vrasjen e Sebahate Morinës”, dhe duke i vendosur disa shkresa të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në të, filloi protesta e aktivistëve.

“Përgjatë këtyre dy javëve nuk e kemi dëgjuar asnjë fjalë, e asnjë hap të institucioneve përgjegjëse lidhur me vendimin, ata po sillen thuajse nuk e kanë lexuar vendimin, e thuajse nuk ka ndodhur asgjë, andaj sot e sollëm vendimin e gjykatës para kryeprokurorit të shtetit” – u shpreh Molliqaj gjatë kohës sa kërkonte përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë në vend.

Molliqaj shtoi se vendimi i Gjykatës e thotë qartë që shteti ia mohoi Sebahates të drejtën për jetë, ndërkohë nuk ka asnjë dorëheqje e lëre më shkarkim të personave përgjegjës.

Lidhur me kërkesat e kësaj proteste, ka folur edhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, duke kërkuar që të shkarkohet prokurori përgjegjës i këtij rasti dhe zyrtarët policorë.

“Kërkesa jonë është shumë e qartë, nga kryeprokurori i shtetit që menjëherë t’i zhvilloj procedurat disiplinore për shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, zotëri Kujtim Munishi, për të gjitha shkeljet e rastit të së ndjerës, Sebahate Morinës, dhe prokurorin i cili ishte përgjegjës specifikisht për këtë rast” – ka thënë Berisha.

Tutje ajo shtoi se kërkojnë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të bëjë shkarkimin e zyrtarëve policorë të cilët nuk e adresuan dhe trajtuan rastin ashtu siç e kërkon korniza ligjore’.

Në anën tjetër, duke bërë thirrje që gratë ta raportojnë dhunën dhe të mos lejojnë asnjë formë diskriminimi ndaj tyre, Berisha është shprehur se do t’i mbështesin rastet e tyre.

Gjithashtu, ajo është pyetur se nëse nuk shkarkohet askush për këtë rast, cilat do të jenë veprimet e radhës që do të merren.

“Nëse nuk shkarkohet askush do të vazhdojmë me protesta, dhe ky shkarkim do të ndodhë” – u përgjigj aktivistja nga RRGK.

Sa i përket mbështetjes së rasteve të grave që raportojnë, Berisha ka thënë se do t’i mbështesim derisa të marrin trajtimin më të mirë.

“Gratë nuk janë të vetme. Na kanë neve mbrapa që të sigurohemi që çdo institucion të jep llogari për jetët e tyre, për trajtimin e mirë dhe të duhur të rasteve që ato i njoftojnë institucionet” – është shprehur ajo.

Sebahate Morina, u vra nga bashkëshorti i saj më 14 mars 2021, në Prishtinë. Ajo gjatë kohës sa ishte rrugës për në vendin e saj të punës, pak metra pa mbërritur, mbeti e vrarë nga bashkëshorti i cili, sipas raporteve zyrtare, e kishte rrahur e keqtrajtuar më parë.

Kujtojmë se ishte vajza e të ndjerës Sebahate Morina Sopi, e cila i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me kushtetutë.

Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Protesta e mbajtur për rastin e Sebahate Morinës. Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com