
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bajrami e konsideron antikushtetues Projektligjin për Fondin Sovran
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka vlerësuar antikushtetues Projektligjin për Fondin Sovran.
Bajrami, e cila në Qeverinë Kurti 1 ka qenë ministre e Financave, ka thënë se nëse Projektligji aktual bëhet ligj atëherë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Sot e lexova Projektligjin për Fondin Sovran që është në konsultim publik. Kam shumë vërejtje, shumë pyetje, shumë komente por mbi të gjitha me vjen sinqerisht keq për mëndësinë qeverisëse të LVV-së dhe dëmet që po ia bëjnë vendit. Tentativa me kapë çdo gjë, me shpërfillë çdo procedurë, çdo ligj, për më tepër me ligj me tejkalu edhe Kushtetutën, këtë vetëm qeveria e LVV-së e bën”- ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka bërë publik nenin 65 të Projektligjit, i cili thotë se ky ligj mbizotëron ndaj legjislacionit për shoqëritë tregtare, ndërmarrjet publike, Trepçën, Agjencinë e Privatizimit, administrimin e pronës publike, prokurimin publik, si dhe kontabilitetin dhe raportimin financiar.
Dhe se “legjislacioni i punës nuk zbatohet lidhur me përzgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të organeve dhe zyrtarëve të Fondit dhe të ndërmarrjeve”.
“D.m.th. ky Fondi ka me e “zhvillu vendin” duke anashkalu krejt ligjet në fuqi. Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emrohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit – tenderat direkt me dosta/negociim i drejtëpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim finaciar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qënë i pëlqyshëm për pushtetin dhe mjafton”- ka theksuar ajo.
Qeveria Kurti 2 ka premtuar shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe themelimin e Fondit Sovran.
Projektligji për Fondin Sovran ka për qëllim të themelojë Fondin Sovran si institucion investiv dhe zhvillimor, të përcaktojë statusin, funksionet dhe qeverisjen e Fondit, si dhe të rregullojë menaxhimin e aseteve, investimet dhe financimin e Fondit.