Foto: REL

Kush është presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq

Jakov Milatoviq sot edhe zyrtarisht me anë të inaugurimit është presidenti i Malit të Zi, pozitë këtë të cilët sot e pranoi me ceremoni.

“Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri. Sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Millatoviq në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi, gjë që shënoi fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar presidencial.

Në fjalimin e tij inaugurues, Millatoviq tha se ishte i nderuar dhe krenar që mori detyrën e presidentit duke bërë betimin e tij.

Milatoviq ka lindur më 7 dhjetor 1986. Ka lindur në Titograd në Mal të Zi. Në vendin e tij ai mbaroi edhe shkollën fillore e të mesme.

Millatoviq, 36 vjeç, është ekonomist i shkolluar në Perëndim, vjen nga partia “Evropa tani”, e cila është formuar vitin e kaluar dhe ka prirje të deklaruara pro-evropiane.

Por, për t’iu kundërvënë Gjukanoviqit në balotazh, në zgjedhjet e fundit ai ka marrë mbështetjen e Frontit Demokratik – parti populiste e krahut të djathtë, me qëndrime të hapura pro-ruse dhe pro-serbe.

Millatoviq ka hyrë në politikë në fund të vitit 2020, si ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, pjesë e së cilës ka qenë edhe Fronti Demokratik. Ai është i afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së Gjukanoviqit në vitin 2020. Kisha, po ashtu, ka ndikuar në përbërjen e Qeverisë së Krivokapiqit, anëtar i së cilës ka qenë Millatoviq.

Si ministër, Millatoviq është konsultuar me Mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, për rritjen e natalitetit. Ai, po ashtu, ka mbështetur nënshkrimin e një marrëveshjeje që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën, por që, sipas ekspertëve, është e kontestueshme në aspektin kushtetues të vendit.

Sa i përket politikës ndërkombëtare, Millatoviq ka thënë se nuk do të vë në pikëpyetje anëtarësinë e Malit të Zi në NATO, e as procesin euro-integrues.

Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në prill të këtij viti kurse kundërkandidati i tij, Millo Gjukanoviq, ka marrë rreth 39.8 për qind.

Sipas të dhënave të CEMI, 71 për qind e votuesve votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kanë votuar rreth 383.3 mijë votues ose 70.7 për qind.