Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari- Lila: Skenari i Serbisë parashihte luftë dhe ndarje të Kosovës

Shfeja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila teksa është deklaruar në lidhje me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën, tha se Kosova ka humbur një rreshter por ka fituar një hero.

Kusari- Lila tha se e diela që lamë pas shpërfaqi një plan të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë, teksa shtoi se dëshmitë nga vendi i ngjarjes plotësojnë skenarin që parashihte luftë dhe destabilizim të Kosovës.

“E diela që lam pas shpërfaqi një plan të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Prej mjeteve logjistike, ushtarake transportimi i armatimit, i tëri ishte skenar i përgatitur në kampet e trajnimit të Serbisë për të cilat autoritetet e sigurisë inteligjencës në Kosovë ka muaj që kanë paralajmëruar”- tha Kusari- Lila.

“Dëshmitë nga vendi i ngjarjes, fotografitë dhe sasitë e armatimit plotësojnë skenarin i cili parashihte luftë ndarje dhe destabilitet të Kosovës, në një rrugë pa kthim për vendin dhe rajonin”- shtoi ajo.

Deputetja e LVV-së ka shprehur mirënjohje të gjitha strukturat e sigurisë dhe inteligjencës për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar teksa ka falënderuar edhe gazetarët për raportim korrekt në informimin e Kosovës.

“Dua të ju falënderoj juve gazetarëve të cilët keni treguar nivel të lartë të profesionalizmit dhe përgjegjësisë ndaj detyrës. Korrektësia dhe përmbajtja në fakte pa ekzagjerim dhe nxitje kanë luajtur rol kyç në ruajtjen e qetësisë dhe informimin e Kosovës, ju faleminderit’’- tha mes tjerash Kusari- Lila.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Banjskës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga policia tek manastiri i Banjskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të së dielës më 24 shtator 2023, e janë lënduar dy të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, tre pjesëtarë të grupit sulmues janë vrarë nga ballafaqimi me armë zjarri me forcat e rendit të Kosovës dhe tre të tjerë, të arrestuar, të cilët tani gjenden në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.