Kusari-Lila flet rreth mundësisë që Asociacioni të jetë temë diskutimi e dialogut me Serbinë

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk është në dijeni nëse në procesin e dialogut me Serbinë, do të shtrohet për diskutimin Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Sipas saj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet që këtë temë ta prezantojë para deputetëve të premten kur do të raportoj.

“Kjo është çështje që duhet Kurti ta prezantojë para deputetëve dhe nuk kam informacion se a ka pikë të tillë për diskutim”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë në një adresim para gazetarëve.

Deputetja ka folur edhe sa i përket raportimit të kryeministrit Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se nuk e sheh të arsyeshme të ketë rezolutë në raport me kompetencat e Qeverisë për procesin e dialogut.

“Ekziston edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që e nxjerr qeverinë e Kosovës me kompetenca ekzekutive dhe me përgjegjësi  në raport me dialogun, rezolutën në raport me kompetencat e shohim të pa arsyeshme kurse për temat e tjera natyrisht që Kuvendi është organi më i lartë që mundet me vendos çështje shtesë në procesin e dialogut”, tha ajo.

Pala serbe po kërkon që çështja e Asociacionit të jetë temë diskutimi në kuadër të rifillimit të dialogut.

Këtë muaj është paralajmëruar të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.