Foto: LDK
LDK: Draft-statuti i Asociacionit krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës
Lidhjes Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së kryesisë ka dalë me një qëndrim lidhur me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas LDK-së, ky dokument krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës.
“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”- thuhet në komunikatë.
Tutje LDK ka vlerësuar se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.
LDK ka thënë se nuk e mbështet asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës.
“LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument”- thuhet tutje në njoftim.
Sipas kësaj partie opozitare, ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët.
“LDK-ja beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë”- thuhet në njoftim.
Ndërsa theksohet se LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës.