Foto: ZKM

Kurti: Vuçiq i ka rënë pishman që i ka thënë po marrëveshjes bazike

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se ka bindje të fuqishme që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i ka rënë pishman që i ka thënë po marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Ohër.

Kurti tha se Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruaj marrëveshjen, ndërsa tani po refuzon ta zbatoj atë.

“Kam bindje të fuqishme që presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që i ka thënë po marrëveshjes bazike. I ka thënë po që të mos nënshkruaj, e tash i ka rënë pishman që ka thënë po. Tash refuzon ta zbatoj. Kemi marrëveshje që nuk po zbatohet. Nervoza na Beograd që bëhet dhunë në veri të Kosovës vjen nga mospajtimi me atë që kanë thënë tashmë po” – deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar tutje tha se për normalizim duhet zbatim i menjëhershëm i marrëveshjes.

“Për normalizim na duhet menjëherë zbatimi i marrëveshjes, ne kemi marrëveshje me Serbinë, kjo është e arritur shumë e madhe e Brukselit. Sot nuk kemi normalizim sepse s’kemi zbatim të marrëveshjes” – tha ai.

Sipas Kurtit, “Beogradi dëshiron herë të kthehet para vitit 1999, herë para vitit 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, e herë para shkurtit 2023 kur i thanë po marrëveshjes bazike”.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.