Foto: ZKM

Kurti thotë se njohja e ndërsjellë është në qendër të marrëveshjes me Serbinë, dhe jo në fund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se që pas takimit të fundit që ka pasur në me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dialogu si proces ka hyrë në një fazë të re.

Kurti në samitin Rose Roth u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative në kuadër të procesit.

“Prej 18 gushtit jemi futur në një fazë të re, sepse tema e parë ishte korniza e përgjithshme. Njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por në qendër të marrëveshjes, kjo më bënë mua optimist për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht detyruese”- tha Kurti.

Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, Kurti tha që Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së dhe NATO-s.

“Kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe tani varet nga secili vend i BE-së që ti jap fund skepticizmit sepse s’ka bazë më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizmin e vizave, ne nuk kemi alternativë tjetër pos BE-së dhe NATO-së sepse s’ka alternativë tjetër. Ne asnjëherë nuk do të jemi as cinik e as me hidhërim ndaj Evropës por mendojmë që është më rëndësi të vazhdojmë të kritikojmë për progres sa më të shpejtë”- tha Kurti.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve.

Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të këtij procesi. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë.