Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Të gjitha sulmet ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale serbe

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kurti në një prononcim para mediave tha se UÇK ka bërë luftë mbrojtëse, dhe sipas tij, drejtësia dhe e vërteta nuk mund të jetërsohen as nga deformimet që vinë e as nga mohimet që bëhen.

“Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve. Ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor 1991 dhe janar 1998. Të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë. UÇK ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të jetërsohen as nga deformimet që vinë e as nga mohimet që bëhen. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione dhe qytetarë, jo vetëm që nuk e harrojmë nga vijmë por ndërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë se si të ecim mirë, mbarë dhe drejtë përpara”, ka thënë Kurti.

Më 5 mars u bënë 24 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.