Kurti takohet me mërgatën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndarë momente nga takimet që ai i ka pasur me mërgatën nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Ai këto takime i ka cilësuar si të ngrohta e të përzemërta.

“Me takimin e ngrohtë e të përzemërt me mërgatën tonë nga gjithsej pesë shtete të Bashkimit Evropian që orbitojnë qytetin e Strasburgut, e përfundova vizitën dhe qëndrimin dyditor atje” – është shprehur i pari i Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka thënë ka zhvilluar gjithsej 11 takime zyrtare bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, këshilltarët e zëvendëskryeministrit të parë, Curri dhe Gricourt, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Takuam 26 eurodeputetë, nga katër grupet më të mëdha politike të Parlamentit Evropian. U mirëpritëm nga Presidentja e këtij institucioni, Roberta Metsola. Morëm pjesë në takimin e 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” – tha Kurti.

Tutje shefi i ekzekutivit njoftoi se mbrëmë kanë bashkëbiseduar me mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në një pritje që u organizua nga këta të fundit.

Kurti tregoi se në këto takime kanë prezantuar punën, arritjet, reformat dhe planet e tyre.

“Morëm vlerësime pozitive për qeverisjen dyvjeçare dhe mbështetje për aplikimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës” – tha kryeministri.

Në fund Kurti shtoi se Evropa është kontinenti i jonë dhe se BE është fati i vendit, është synim i hershëm, orientim vleror, angazhim i përditshëm dhe i përbashkët.