Foto: ZKM

Kurti takohet me ambasadorin francez në Kosovë, flasin edhe për takimin e nesërm në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Përveç organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, ata kanë biseduar edhe për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe për takimin e nesërm të nivelit të lartë në Bruksel.

“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe për takimin e nesërm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejt dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”- thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Guerot e uroi Kurtin për kandidaturën e suksesshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ofroi ndihmën dhe përvojën e Francës nga organizimi i këtyre lojërave në vitin 1993.

Ndërsa Kurti e mirëpriti gatishmërinë e Francës për mbështetje dhe tha që synojnë të mësojnë nga Franca dhe të bashkëpunojnë për organizim sa më të mirë.

Takimi i 14 shtatorit është i pari që po realizohet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti.