Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Sindikalistët janë rrahur pse kanë qenë kundër privatizimit

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit duke folur për sindikatat e ka pranuar se si subjekt socialdemokrat kanë qenë pranë tyre por që as dikur dhe as sot krerët e sindikatave nuk kanë qenë të njëjtë.

“Në njërën anë kemi pasur sindikalistë që gjatë procesit të privatizimit janë rrahur brutalisht edhe në kohën e privatizimit të aeroportit të Prishtinës. Por e kemi rastin e kryesinidikalistit të metalistëve Hasan Abazit të cilin e patën rrahur. Në njërën anë kemi pasur sindikalistë që i kanë mbrojtur punëtorët dhe janë rrahur nga grupet e caktuar që kanë qenë në anën e privatizimit të egër”, ka thënë Kurti

Ai gjithashtu tha se ka sindikalistë që në filliim të qershorit të vitit 2017, kanë bërë marrëveshje me koalicion PDK, AAK dhe Nisma ndryshe edhe si PAN.

“Në anën tjetër keni sindikalistë të cilët në fillim të qershorit të vitit 2017 patën bërë memorandum bashkëpunimi me PAN-in, nuk mund t’i fusim te gjithë sindikalistët në të njëjtin thes. Gabim më të madh se të flasësh e t’i trajtosh njëjtë këto, nuk ka”, ka deklaruar kryeministri Kurti në Kuvend.