Kurti reagon pas dënimit të Salih Mustafës: Ky verdikt është indinjues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dënimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale me 26 vjet burg.

Kurti verdiktin e Gjykatës e ka qujtur “indinjues”, duke shtuar se shpreson se institucionet e drejtësisë ta kuptojnë, siç ka thënë ai, padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.

“Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit? Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”- ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal.

“Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”- është shprehur kryeministri.

Kreu i ekzekutivit thotë se ka mijëra vrasës nga Serbia që nuk janë dënuar për mizoritë e tyre dhe sipas tij kanë marrë dënime shumë më të lehta sesa ai që iu dha sot Salih Mustafës.

“Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”- thotë Kurti.

Më tej, ai ka kujtuar dënimet e masakrave ndaj famlijeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.

“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.  Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës”- shtoi Kurti.

Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”, është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje të paligjshme. Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.