Kurti pritet nga Rama në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur në samitin e Procesit të Berlinit i cili po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë.

Kurti është pritur nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama.

KALLXO.com ka pyetur kryeministrin Kurti nëse sot pritet të diskutohet në Samit edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit, por Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media para nisjes së punimeve.

Rama ka nisur pritjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së .

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrja e Kurtit në Samitin e Berlinit vjen në një kohë kur Rama-Kurti kanë pasur disa përplasje.

‘Mollë Sherri’ është bërë anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive e cila ishte paraparë të mbahet në qershor por që u anulua nga kryeministri Rama për shkak të situatës në veri.

E një muaj më vonë kur Rama erdhi në Kosovë për turin ballkanik për Samitin e Berlinit, Kurti nuk e priti në takim në zyrën e tij.

Edhe pas sulmit në Banjskë, kryeministri Rama ka deklaruar se veriu duhet të menaxhohet nga KFOR, një deklaratë të tillë e ka dhënë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Në reagimin e tij për këtë propozim Kurti ka theksuar se është Policia e Kosovës është ajo që përgjigjet për sigurinë në Kosovë, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.

Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet e tjera.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE.

Samiti i Berlinit po ndodh në një kohë kur Kosova është përballur me një situatë të tensionuar në veri të vendit. Një polic i Kosovës u vra nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.