Kurti: Presim që të thellohet miqësia me Irlandën, Kosova të mësojë nga përvojat dhe sukseset e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pret që të thellohet miqësia me Irlandën dhe që Kosova të mësojë më shumë nga përvojat dhe sukseset e shtetit irlandez.

Kështu tha Kurti pas takimit që zhvilloi me homologun e tij irlandez, Leo Varadkar.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se Irlanda qëndron si një testament i forcës së unitetit, aleancës dhe angazhimit të qëndrueshëm për përparim.

“Në një kohë kur demokracia kërcënohet kaq fuqishëm, Irlanda është kampione e saj dhe model e shembull për vendet që synojnë dhe luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Andaj mes pasigurive globale, kërcënimeve për kontinentin europian, Irlanda qëndron si një testament i forcës së unitetit, aleancës dhe angazhimit të qëndrueshëm për përparim”- u shpreh Kurti.

“Zhvillimi ekonomik dhe progresi social në dekadat e fundit, e ka bërë Irlandën burim të frymëzimit për shumë shtete, një pjesë e konsiderueshme e këtyre përparimeve i atribuohen edhe udhëheqjes së kryeministrit Varadkar, duke mishëruar një valë të re ndryshimesh pozitive”- shtoi ai.

Kurti tha se Irlanda ëstë frymëzuese teksa përmendi edhe ngjashmëritë mes dy vendeve.

“Irlanda ëshëtë veçanërisht frymëzuese për ne sepse me të kemi ngjashmëri që i ndajmë. Nga pikëpamja shoqërore, populli ynë shquhet për ngrohtësinë dhe mikpritjen e tij pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Sa i përket aleancave ndërkombëtare, të dy shtetet gëzojmë një aleancë të palëkundur dhe lidhje të ngushta me SHBA-të. Ndërkohë që të dy vendet tona janë të orientuara dhe të fokusuara kah rritja thelbësore dhe progresi social”- tha kryeministri.

“Në një kohë kur Kosova në vitin 2021 ka shënuar për herë të parë një rritje ekonomike dyshifrore dhe vazhdon të udhëheqë në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vlera të BE-së dhe në rritjen e parashikuar ne presim që të thellojmë miqësinë ndërmjet dy vendeve tona dhe të mësojmë më shumë nga përvojat dhe sukseset e Irlandës”- vazhdoi ai.

Më tej, kryeministri Kurti tha se Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian, duke theksuar edhe mbështetjen e shtetit irlandez përmes misionit të KFOR-it në Kosovë.

“Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim si në Këshillin e Europës, ku ne aplikuam gjatë presidencës së komitetit ministrave të Këshillit Eeuropian nga Irlanda; si dhe për anëtarësim në Bashkimin Europian, për çka edhe kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Irlanda po ashtu ka dhënë kontribut të hershëm, të cilin e vazhdon edhe sot në fushën e mbrojtjes përmes misionit të KFOR-it në Kosovë. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues e përgjithmonë mirënjohës”- ka thënë Kurti.

“Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për të diskutuar mbi marrëdhëniet dy palëshe për mundësitë që kemi para vetes për të thelluar ato sa në rrafshin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në atë kulturor, politik dhe diplomatik”- përfundoi ai.