Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për takimin me Vuçiqin: Nuk do të ketë vazhdim të dialogut por dialog të ardhshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë qëndrimin e tij në lidhje me platformën dhe strategjinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ende nuk është hartuar platforma dhe strategjia e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa shtoi edhe se nuk do të ketë vazhdim të dialogut por siç theksoi ai do të ketë dialog të ardhshëm.

“Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar sërish nuk është paraparë të vazhdojë dialogun e moçëm apo me të moçmen por është diskutim mbi formatin dhe ecurinë e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm për takim për dialogun e ardhshëm. Për këtë format ne duhet të jemi të përgatitur si me platformë ashtu edhe me strategji por nuk jemi në atë fazë. Tash pa u ulur ende në takim për dialog me nxjerr platformë e strategji është gabim në hapa, prandaj nuk bën që para takimit për dialog të nxjerrim platformë e strategji”, tha Kurti.

Deputetja Time Kadrija përmendi se zyrtarët në Bruksel kanë deklaruar se do të ketë rifillim të dialogut.

“Është e domosdoshme që të kemi një platformë dhe besoj që shpejt do ta hartoni atë platformë dhe ta sjellni në Kuvend të miratohet ndërsa sa për dialog apo përgatitje për dialog zyrtarët në Bruksel po thonë që është rifillim i dialogut”, tha Kadrija.

Kurti u përgjigj se për çdo informatë apo zhvillim në Bruksel do të njoftohet Kuvendi i Kosovës.

“Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për deklaratat e të tjerëve, do të ketë dialog të ardhshëm por jo vazhdim të dialogut sepse ka qeveri të re që ka një program të mundshëm, për secilën fazë të bisedimeve unë do ta ndaj me Kuvendin e Kosovës, informatat dhe zhvillimet në Bruksel”, tha Kurti.

Deri sa nuk ishte në sallë Kryeministri Kurti, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar përgjigje nga ana e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me takimin i cili është planifikuar të mbahet në këtë muaj mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ishte interes i joni ta dimë se a do të ketë takim në qershor dhe eventualisht a janë plotësuar kriteret nga rezoluta e kuvendit dhe thirrjet e Vetëvendosjes që nuk do të ketë takim pa kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, pa paguar apo marrë përgjegjësinë për dëmet e luftës dhe pa kthimin e të pagjeturve”, tha Zemaj.