Mbi 4,200 targa ilegale u konvertuan në RKS, Elshani: Gjatë kësaj fundjave do të kemi vetëm vërejtje nëse shohim ndonjë veturë

Më 15 dhjetor ka përfunduar afati për konvertimin e veturave me targa ilegale në targa RKS.

Gjjithsej, 4 mijë e 248 vetura janë regjistruar më targa RKS, ka konfirmuar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani. Sipas Elshanit, 3,443 janë regjistruar nga 1 nëntori deri më 15 dhjetor ndërsa 805 ishin regjistruar në periudhën para 1 nëntorit.

Elshani tha se nga sot targat si, KM, PR, GL do të trajtohen si targa me afat të skaduar dhe automjeti do të trajtohet si i tillë po ashtu.

“Sa i përket këtij fenomeni rajoni i Veriut trajtohet nga sot e tutje sikur të gjitha rajonet e tjera e që dmth Polici në rrugë e vendos me dhënë vërejtje, me shqiptu gjobë apo me ja konfisku veturën”- tha ai për KALLXO.com.

Elshani shtoi se në ditët e para do të ketë vetëm vërejtje.

“Gjatë kësaj fundjave me siguri do të kemi veç vërejtje nëse shohim ndonjë veturë në rrugë” – shtoi ai.

Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.

Vendimi i parë i Qeverisë për regjistrimin e veturave nuk ishte pritur mirë. Çështja e targave shkaktoi protesta, vendosje të barrikadave e daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Pas krizës së shkaktuar në veri të Kosovës gjatë nëntorit të vitit 2022, më 23 nëntor 2022 u arrit një marrëveshje në Bruksel.

Marrëveshja u arrit gjatë takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova, dhe Petar Petkoviq nga Serbia, me ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçak, të dërguarit të posaçëm të bllokut europian për dialogun Kosovë-Serbi.

Serbia, sipas marrëveshjes, u pajtua të heqë dorë nga lëshimi i targave joligjore me akronimet e qyteteve të Kosovës, dhe Kosova u pajtua të largonte vendimin për qortimet dhe gjobat për shoferët me automjete me targa të tilla.

Arrihet marrëveshja për targat në mes Kosovës dhe Serbisë