Kurti nuk përgjigjet nëse do ta shkarkoj ministrin Aliu pas ngritjes së aktakuzës
Kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk është përgjigjur nëse do ta liroj nga detyra ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu pas ngritjes së aktakuzës për ‘Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga Prokuroria e Prishtinës.
Kurti së bashku me ministrin Aliu dhe ministra të tjerë të kabinetit ishin te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe varri i veprimtarit, Adem Demaçi. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje.
“Për çështje të tjera flasim në një vend tjetër, së shpejti”, tha shkurt Kurti.
Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se më 23 prill të vitit 2018 ka pranuar kallëzim penal ndaj personave me inicialet: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Aliu ka reaguar pas lajmeve se ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se për këtë akuzë për herë të parë ka dëgjuar sot nga mediat.
“Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi” ka shkruar Aliu në llogarinë e tij në rrjetin social facebook.
Në anën tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se nuk do të ketë në qeverinë e tij njerëz me aktakuza.
Kurti këtë deklaratë e kishte bërë në ‘DebatPernime’ më 4 shkurt 2021.
“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza edhe pse më vjen keq për Nenad Rashiqin, zyrtarin që e kam emëruar drejtor të Zyrës për Komunitete në Zyrën e Kryeministrit, i cili njëmend ka një aktakuzë. Por mos të harrojmë se prokuroria është pasive aty ku duhet më së shumti e është aktive aty ku s’ka prioritet realisht për drejtësinë”, kishte thënë Kurti.