Kurti: Një e mitur që duhej të ishte në shkollë, ndodhet në strehimore për shkak të një krimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka përmendur rastin e 11-vjeçares e cila dyshohet se u dhunua nga 11 persona të ndryshëm.

Kurti deklaroi se dhuna ndaj vajzave dhe grave nuk është çështje private, por e sigurisë dhe mirëqenies publike e sociale.

Ai kërkoi nga policia që të mbajnë me përgjegjësi të plotë detyrat e tyre.

“Javën që shkoi u ballafaquam me një rast shumë të rëndë. Një vajzë e mitur që duhej të ishte në shkollë, në klasën e pestë ose të gjashtë, ajo ndodhet në strehimore për shkak të një krimi qe ndodhi mbi të nga pesë dhunues. Dhuna ndaj vajzave dhe grave nuk është çështje private, por e sigurisë dhe mirëqenies publike e sociale. Nga ju [Policia] kërkohet që të jeni në nivelin më të lartë kudo, në çdo rrugë e çdo cep të vendit tonë. Mbani me përgjegjësi të plotë detyrat e juaj ashtu siç edhe ne si qeveri mbajmë përgjegjësi tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar të vendit” – tha Kurti.

Pas këtij rasti, më 30 gusht, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka ofruar dorëheqjen e tij.

Dorëheqja e Mehmetit, erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali kohor prej 7 orëve, nga disa persona.

Deri më tani, 11 personave u është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për dhunim dhe trafikim të 11-vjeçares, në dy raste të ndara, njëri dyshohet se ka ndodhur në qershor e tjetri në gusht.