Bekim Dugolli

Dugolli rrëfen për intervistimin e 11-vjeçares që dyshohet se u dhunua në Prishtinë

Bekim Dugolli, Mbrojtës i Viktimave, është personi që e ka intervistuar i pari 11-vjeçaren, e cila dyshohet se u dhunua nga disa persona në Prishtinë.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ai ka treguar se e kishte intervistuar të miturën në muajin qershor në cilësinë e viktimës së trafikimit.

Dugolli tha se herën e parë kur vajza ishte dërguar në strehimore ai kishte pasur një bisedë të shkurtër me viktimën.

“Për rastin e 11-vjeçares herën e parë në qershor kur është cilësuar si trafikim jam ftuar nga Policia e Kosovës ku kam zhvilluar një bisedë të shkurtër me viktimën, mandej Policia ka marrë veprimet e saj. Gjendja e vajzës nuk ka qenë e mirë, rasti i saj ka qenë i ndjeshëm, psikologia më pas është gjetur në ndërkohë” – ka thënë ai.

Sipas tij, viktima e mitur në rastin e parë që Policia e ka cilësuar si trafikim ka identifikuar disa vende dhe objekte.

“Pas kontaktit me viktimën e mitur, ka shkuar me hetuesit dhe ka bërë identifikimin e disa vendeve, objekteve dhe madje kanë nisur hetimet në zbulimin e individëve. Prokuror i rastit ka qenë Ruhan Salihu, punëtor social ka qenë një Arbena, mbiemri nuk më kujtohet. Pas intervistimit, viktima është kthyer në strehimore” – shtoi më tej Dugolli.

Ai shtoi se me kërkesën e viktimës dhe familjarëve, e mitura është kthyer në shtëpi.

Dugolli potencoi se ka pyetur vazhdimisht për procedurat në këtë rast dhe i është thënë se janë duke punuar në atë drejtim.

“Unë prej fillimit të korrikut kam pyetur se si po shkon rasti dhe nëse dikush po hetohet, përgjigjja e institucioneve ka qenë se janë duke punuar në atë drejtim” – shtoi më tej Dugolli.

Sipas tij, vajza ka qëndruar në strehimore disa javë kurse pas largimit prindërit kanë premtuar se do kujdesen maksimalisht ndaj vajzës së tyre.

Derisa kur ka ndodhur rasti i dytë, Dugolli tha se ka qenë në pushim vjetor.

“Kur është intervistuar viktima herën e dytë nuk ka qenë askush prezent prej Mbrojtësit të Viktimave”- deklaroi ai.