Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi në raportim para Komisionit për të Drejtat e Njeriut | Foto: KALLXO.com
Munishi për dhunimin e 11 vjeçares: U lirua nga strehimorja me kërkesë të familjes
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi ka folur për herë të parë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami ka kërkuar llogari nga Munishi për çështjen e lirimit të 11 vjeçares nga strehimorja.
“Vajza është kthy në shpi. Personat që e kanë dhunu e kanë taku prapë mbase. A mund të vërtetoni se pasi që është dhunu, u kthy në shpi, vetë thatë që e keni pranu kërkesën e familjarëve që me kthy në shpi. A mundeni me na siguru që si ka taku dhunuesit e vet në rrugë, tu shku në market?”- i është drejtuar Bajrami.
Munishi në kundërpërgjigjen e tij ka thënë se pyetja e Bajramit ka adresë të gabuar, duke shtuar se prindërit e vajzës kanë kërkuar që e njëjta të kthehet në shtëpi.
“Pyetja e adresuar gabimisht. Të tregova, më 21 korrik me kërkesë të familjes është liru. Kërkesa e prokurorit ka qenë që e njëjta të qëndroj në strehimore për shkak të rrezikshmërisë. Prindërit kanë kërku”- ka thënë Munishi.
“Në momentin kur është paraqit kërkesa, ka garantu familja. Ne nuk kemi të drejtë me kundërshtu familjen”- shtoi ai.
Ndërsa kreu i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj ka thënë se nuk është kompetencë e gjykatës apo prokurorisë që të bëjnë kërkesë të hiqet e drejta prindërore. Për këtë çështje, Zogaj ka thënë se është Qendra për Punë Sociale.
BIRN dhe I/KS kërkojnë hetimin e zinxhirit institucional në rastin e dhunimit të 11-vjeçares
Arrestohet personi i 12-të, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares