Kurti në takim me Montgomery vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me zëvendës ndihmësen – sekretaren amerikane të Shtetit, Molly Montgomery e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti e ka njoftuar Montgomery se në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022 përfshuihet ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Kurti gjithashtu e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë.

Ndërkaq, Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Montgomery e ka përmendur edhe bashkëpunimin për strehimin e qytetarëve afgan.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë”, tha ajo.

Kurti tha se kjo ndihmë ishte obligim humanitar dhe se ne duan t’i qëndrojnë në krah ShBA-së.

Kryeministri u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Kryeministri Kurti falënderoi ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.