Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Në nëntor policët do t’i marrin shtesat retroaktivisht prej kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se shtesat do të fillojnë të paguhen nga muaji nëntor dhe policët do t’i marrin ato në mënyrë retroaktive për muajt e kaluar.

“Në nëntor të gjithë policëve që marrin shtesa të rrezikshmërisë do t’u bie që t’i marrin retroaktivisht prej kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave, prej shkurtit 2023” – ka thënë Kurti.

Ai ka njoftuar për secilën kategori sa do të jetë shuma e shtesave.

“Shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë, 120 për njësitë operative K9 dhe Njësia për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njeherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”- ka bërë të ditur Kurti.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 është 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.