Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti: Në KEK ka pasur keqpërdorime në të kaluarën, mirëpo zelli i prokurorisë për t’i trajtuar ishte zero

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Kurti tha se ka pasur shumë kryeshefë në KEK në të kaluarën që kanë bërë keqëpërdorime, por që sipas tij nuk janë trajtuar asnjëherë nga sistemi i drejtësisë.

“Është fakt që pati një gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit, mirëpo ky është fakt i opozitës, jo i çështjes. Ne e dijmë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur kepërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht Prokuroria”- tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit deklaroi se udhëheqja e re e KEK-ut ka dërguar fakte e dëshmi për keqpërdorimet e gjetura, por që sipas prokurorisë zelli për t’u marrë me ato raste ka qenë zero.

“Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetë aty, mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrur me deponimin e fakteve e dëshmive për keqpërdorime të mëhershme ka qenë zero, ndërkaq zelli për tu marrë me Krasniqin i cili në 2022-tën bashkë me punëtorët e KEK-ut i solli 107 milionë euro fitim, ishte maksimal”- theksoi ai.

Më tej, kryeministri u shpreh se në  Prokurori ekziston një disponim politik negativ karshi qeverisë teksa shtoi se e gjithë kjo lidhet me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”- shtoi ai.

Kurti tha se drejtësia dhe sistemi gjyqësor “lëngon për shkak se nganjëherë s’don, nganjëherë s’din e shpesh edhe të dyja”, teksa kritikoi prokurorinë për pasivitet në trajtimin e krimeve të luftës.

“Drejtësia, sistemi gjyqësor lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori e cila nganjëherë s’don, nganjëherë s’din e shpesh edhe të dyja. E kam kritikuar publikisht prokurorinë e shtetit e sidomos atë speciale që për rastet e krimeve të luftës ka qenë përgjithësisht pasive”- ka deklaruar Kurti.

“Në këtë Kuvend shumë prej juve që jeni këtu, keni qenë edhe në vitin 2019 kur me 30 maj në lexim të dytë e votuam plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penalë në mënyrë që kriminelët serbë që kanë kryer krime gjatë luftës, t’i gjykojmë e dënojmë. Sivjet bëhen katër vite, rezultatet janë më pak se të pakta, e kemi kritikuar për hir të shtetit, viktimave, për luftën çlirimtare dhe të ardhmes”- tha mes tjerash kryeministri.

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit’.

Arrestimi i kryeshefi të KEK-ut është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se, Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu sot ka  bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.