Foto: Miroslav Lajçak/Facebook
Kurti: Në Bruksel Vuçiq na tha që Millan Radoiçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i obsesionuar me kryekomandatin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin.
Sipas Kurtit, Vuçiq donte që më 24 shtator ta shndërronte manastirin ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës.
“Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”- ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.
“Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë”- shtoi Kurti në Facebook.
Të dielën, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.