Kurti mirëpret emërimin e Sarrazin si emisar gjerman për Ballkanin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë vendimin e Qeverisë Gjermane për emërimin e Manuel Sarrazin, të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka pasur diskutime domethënëse në disa takime që kanë pasur.

“Unë kam pasur gjithmonë diskutime domethënëse në disa takime tona të kaluara. Mezi pres të punoj ngushtë me të”, ka shkruar Kurti.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, para disa ditësh ka uruar Manuel Sarrazin i cili sipas saj është emëruar si i dërguar special për Ballkanin Perëndimor.

“Urime të ngrohta për kolegun tim Manuel Sarrazin që u emërua nga Qeveria gjermane si i dërguar special për Ballkanin Perëndimor”, tha ajo përmes një postimi në Twitter.

Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, sepse pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.

Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër dhe ka qenë anëtar i Parlamentit gjerman nga viti 2008 deri në vitin 2021.