Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti: Me 24 shtator u pa se grupet kriminale nuk kanë shanse ndaj Policisë së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka pasur fjalë të mëdha për Policinë e Kosovës gjatë fjalimit të tij në Kuvend në seancën e parë pas sulmit terrorist më 24 shtator.

Kryeministri Kurti tha se asnjë grup kriminal nuk ka shanse ndaj Policisë së Kosovës.

“Me të zbardhur drita, u pa se çfarëdo grupi kriminale e terrorist nuk ka kurrfarë shanse me Policinë e Kosovës. Ata u vranë, u arrestuan ose po ndiqen sepse janë në ikje” – tha Kurti.

“Të dielën në Banjskë të Zveçanit kishte sulm terrorist e kriminal që cenoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë tonë kombëtare. Sulmuesit të cilët arritën të ikën, duhet të ekstradohen,. Duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës” – tha tutje ai.

Në anën tjetër, Kurti ka kërkuar nga shtetet mike që ta ndjekin shembullin e Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur terroriste dy organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore”.

“Organizatat “Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore” duhet të shpallen organizata terroriste dhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate ashtu siç bëri qeveria e Kosovës më 29 qershor” – tha tutje ai.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin” – tha tutje ai.

“Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit, janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë” – tha Kurti.

Një sulmin terrorist të së dielës, fillimisht me armatim të rëndë ishte kryer një sulm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës. Një polic kufitar Afrim Bunjaku u vra nga ky sulm e një polic tjetër u plagos.

Pasi u mor informacioni për sulm ndaj policisë grupi terrorist u bart në Banjskë dhe u vendos në Manastirin e Banjskës. Për disa orë ata sulmuan policinë e më pas u arratisën.

Policia në bastisjet që ka kryer në shtëpi private përreth manastirit gjeti dhjetëra armatime.

Deri më tani të dhënat zyrtare flasin për 8 të arrestuar, përfshirë edhe pjesëtarë të grupit terrorist dhe 3 nga i njëjti grup të vrarë.