Kurti: KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ende janë në pritje që KFOR-i të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar.

Kurti tha se Serbia duhet të ndëshkohet nga KFOR-i për shkelje të integritetit territorial.

“Ne ende jemi në pritje nga KFOR-i që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, sovranitetit por edhe pikës 4 të marrëveshjes Kumanovës, dje u shkel kjo pikë” – deklaroi Kurti.

Kryeministri thotë se KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte mandat edhe ta parandalonte.

“KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte mandat edhe ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur ta përmbushë efektivisht” – tha Kurti.

Ai ka theksuar se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

“Ritheksoj që mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhet të ishte e KFOR-it, kjo për shkak të mandatit ndërkombëtar të NATO-s dhe përgjegjësisë që ka marrë kur e dakordoi një marrëveshje me ish-kryeministrin Thaçi” – u shpreh kreu i ekzekutivit.

KFOR-i dje ka reaguar në lidhje me rastin e kindapimit të 3 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet policore serbe, duke thënë se janë në kontakt me autoritetet e Serbisë për të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me rastin e tre policëve.

Mirëpo sot, ata ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me atë se çka ka ndodhur dje.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë, ku kryeministri Kurti po raporton lidhur me kidnapimin e tre policëve të Kosovës dje në veri.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot tha se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi, në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me shtetin serb.

Ai ka thënë se rasti i kidnapimit të tre policëve të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune, nuk mund të krahasohen.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.