Kurti kërkon nga Kushtetuesja ta shpallë të pavlefshëm dekretin e Thaçit për Hotin

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese komentet në lidhje me dekretin e shpallur nga presidenti i vendit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e qeverisë, Kurti ka kërkuar nga gjykata të shpallë të pavlefshëm dekretin e presidentit.

“Ndër të tjera, bazuar në argumentet e paraqitura iu kërkua Gjykatës që të shpallë kërkesën të pranueshme dhe të shpallë dekretin e Presidentit nr.24/2020 të pavlefshëm dhe në kundërshtim me nenet 4.1, 84.4 dhe 84.14 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sot komentet në Gjykatën Kushtetuese i kanë dorëzuar edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e pati aprovuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Sipas Kushtetueses, vendimi për masën e përkohshme është deri më 29 maj 2020.