Albin Kurti

Kurti: Karshi bandave kriminale në veri çfarëdo sjellje tolerante merret si frikë apo dobësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se karshi bandave kriminale në veri të vendit çfarëdo sjellje tolerante (keq)kuptohet si frikë apo dobësi.

Kurti ka thënë se në momentin që kryetari i komunës nuk shkon atje nga serbët kjo do të kuptohet si frikë.

“U dëshmua që karshi bandave nacional-shoviniste çfarëdo bujarie, çfarëdo sjellje tolerante keqkuptohet si frikë ose dobësi. Në momentin që kryetari i komunës nuk shkon atje, ata do të thonë u frikësuan. Do të thotë janë të dobët. Republika e Kosovës është e fortë”- ka deklaruar Kurti në KTV.

Sipas tij, “ligji kërkon që në republikën tonë të mos ketë individë dhe banda më të fuqishme se shteti”.

Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për kryetarët e dy komunave në veri që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët aktualisht janë duke zhvilluar punën nga objekte të tjera alternative.

Sipas Kurtit, kryetarët nuk përfaqësojnë partitë e tyre por qytetarët e komunave në të cilat janë zgjedhur.

“Nuk bën të kemi parti më të rëndësishme sesa shteti për asnjë anëtarë partie apo qytetarë. Vendi i punës është komuna. Ata janë në marrëdhënie të punës. Dalja nuk ka qenë siç duhet. Deri sa të mbahen zgjedhje të reja i kemi katër kryetar çfarë i kemi. Këta nuk përfaqësojnë paritë e tyre aty. Janë kryetar që duhet të punojnë për të gjithë qytetarët pa dallim”- ka thënë Kurti.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.  Serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Të hënën, protestuesit e mbledhur në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it ku kanë lënduar 30 prej tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës duke kërkuar që kryetarët e komunave në veri të punojnë në objekte alternative dhe policia të zhvendoset nga ndërtesat komunale.