Kurti: Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale.

Ai këtë njoftim e ka bërë përmes rrjetit social “Facebook”.

“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit, fillimisht duhet të bëhet rregullimi i kornizës ligjore në mënyrë që të evitohen të gjitha parregullsitë ligjore.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike”, thuhet në njoftim.

Kurti njoftoi se në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.