Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Euro si mjet i pagesës në Kosovë nuk është çështje e negociueshme

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përcaktimi i valutës Euro si mjet i pagesës në Kosovë nuk është çështje e negociueshme.

Komentet e tij vijnë pas kërkesës së ambasadave të QUINT që rregullorja e BQK-së që kërkon që euro të jetë e vetmja valutë në Kosovë, të pezullohet.

Ai ka thënë se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), janë vendime të pavarura, pasi sipas Kurtit, BQK është institucion i pavarur.

Kurti ka deklaruar se Euro është e vetmja valutë e shkëmbimit dhe e shitblerjes në Kosovë.

“Ne nuk po dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetuteshmëri dhe rregullsi, edhe në veriun e Kosovës edhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë, i cili është një komunitet që po ashtu mua më ka kryeministër e Ahmet Ismajlin e ka guvernator” – ka thënë Kurti para gazetarëve.

Tutje, kryeministri ka thënë se shumica dërmuese e serbëve në veri kanë xhirollogari bankare në Kosovë dhe se në veri të vendit janë katër degë të bankave e 15 institucione financiare, ku sipas Kurtit, mund të dërgohen pagesat e dërgesat në Euro.

Infografika: Diar Vuçetaj/ KALLXO.com

“Euroja është valutë që na vjen nga Bashkimi Europian, ne nuk jemi duke i thënë askujt që merre lekë të Shqipërisë, e as ndonjë valutë të re dardan të Kosovës, por euro, si mjet i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Republikën e Kosovës, nuk është një çështje e negociueshme” – tha në fund Kurti.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të “mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.

Edhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë se në takimin me Kurtin që e kishte dje, është diskutuar për këtë çështje, por që gjatë deklarimit për media ai nuk japi detaje.

“Ne përmendëm çështjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por nuk dua të veproj si zëdhënës i Qeverisë. Prandaj do të ketë informim për juve nesër dhe do të mësoni më shumë për të”- tha ai.

Në Kosovë, qytetarët serbë kryejnë pagesa si dhe paguhen me dinarë.

Sipas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, për operacionet me paratë e gatshme e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”- thuhet në rregulloren e re.

Euro – valuta e vetme për pagesë në Kosovë, BQK tregon se për çfarë mund të përdoren valutat e tjera