Foto: ZKM

Kurti: E vetmja mënyrë se si të bëhet ndërrimi i pushtetit në veri janë zgjedhjet e reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë në një konferencë për media, ka folur për takimin e djeshëm me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai ka thënë se në këtë takim që zgjati më shumë se dy orë kanë diskutuar për shtensionim edhe normalizimin të situatës në veri.

“Unë e kam siguruar jo vetëm Lajçakun dje, por edhe Borrellin që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon në eskalim” – tha kryeministri.

Ai tutje shtoi se e ka siguruar që zyrtarët policorë të Kosovës që janë në ndërtesa nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethinën e atyre ndërtesave.

“Sipas kërkesës se tyre kam shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse janë e vetmja mënyrë sesi të bëhet ndërrimi i pushtetit” – ka thënë kryeministri.

Tutje Kurti tha se takimi i djeshëm ka qenë pozitiv e se me bindje të njëjtë ka dalë edhe vet emisari Lajçak.

Kryeministri njoftoi se do të ketë takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin dhe do të shohin sesi do të mund të punojmë.

“Unë besoj që në deeskalim ka kontribuar ndarja në mes të ekstremismve të dhunshëm dhe qytetarëve serb në anën tjetër” – shtoi tutje shefi i ekzekutivit.

Ndër të tjera, Kurti kujtoi prapë që takimin e djeshëm e ka filluar me vërejtje që masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës kishte treguar dje, më 4 korrik se çfarë është biseduar në takimin mes Kurtit e Lajçakut, ku u tha se kryeministri potencoi se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.

Gjithashtu, sipas njoftimit, kryeministri shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për shtendosje dhe normalizim.

Sipas njoftimit të ZKM-së, në lidhje me rrugën përpara, Kurti tha se neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështet procedurat ligjore.

“Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet” – theksohet në vazhdim.

Neni 72 i këtij Ligji flet për largimin e një kryetari nga komuna.

Paragrafi i parë i këtij neni tregon se qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës, përderisa mënyra se si mund të bëhet diçka e tillë shpjegohet në paragrafin e dytë.

“Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit” – thuhet në këtë paragraf.

Ndërsa, paragrafi i tretë thotë se nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet.

Pas takimit më shumë se dy orësh në mes tij e Kurtit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tha se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.

Ai tutje shtoi se duhet të vazhdohen diskutimet për hapat konkretë që duhet të merren.

Lajçak tha se takimi ishte i gjatë pasi edhe Kurti prezantoi pikëpamjet e tij e edhe vet Lajçaku foli për idetë e tij dhe propozimet që ai ka.

“Takimi ishte i gjatë, por shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë që t’i kuptojmë pozitat e njëri-tjetrit më mirë” – u shpreh përfaqësuesi special.

Ai është pyetur edhe nëse do të ketë sanksione për Serbinë, pas situatës që është krijuar në mes dy vendeve fqinje.

“Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, do të zbatohen nëse kuptohet se Serbia nuk po vepron me kërkesat e BE-së” – ka thënë Lajçak duke shtuar se kjo është në dorën e shteteve anëtare.

Më 1 korrik ishte njoftuar se Bashkimi Evropian kishte marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor”- ka thënë zëdhënësi për BIRN.

Zëdhënësi thotë se për këto masa, BE ka njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor, teksa shton se masat janë plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Qytetarët e komunitetit serb e kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Kurti në takim me Lajçak: Masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik