Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti 18.09.2023 Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

Kurti e Policia pritet të mbajnë konferencë për media

Një polic mbeti i vrarë, një tjetër i plagosur e një i lënduar në mëngjesin e sotëm në fshatin Banjskë të Zveçanit. 

Për këtë ngjarje, nga ora 10:00 kryeministri i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, e nga ora 12:00 pritet që të mbajë konferencë për media bashkë me zëvendësdrejtorin e Policisë, Fehmi Hoti.

Deri më tani, siç mëson KALLXO.com, Policia ka vendosur disa ekipe e njësi në Banjskë.

Siç ka marrë vesh KALLXO.com, dyshohet se në manastirin e i cili gjendet në Banjskë janë disa persona të maskuar e të armatosur. 

Përveç ekipeve të Policisë në afërsi të Banjskës janë edhe ekipet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Burimet bëjnë me dije se njësi speciale operative e intervenuese kanë rrethuar manastrin në Banjskë pas informacioneve se persona të uniformuar janë parë duke hyrë brenda këtij manastiri.