Kurti e Martin Schüepp, diskutojnë për çështjen e të pagjeturve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Martin Schüepp.

Temë e takimit ishte çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, që është edhe arsyeja kryesore e vizitës së Schüepp në Kosovë dhe në rajon, njofton Zyra e Kryeministrit.

Sipas komunikatës, Schüepp tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës që t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar.

Sipas tij, është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb.