Kurti: Dallimet në politikën e jashtme cenojnë tërësinë territoriale të Kosovës

Në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për nder të 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ku morën pjesë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi e kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mes tjerash foli për dallimet në politikën e jashtme të institucioneve të Kosovës.

Kurti deklaroi se nuk mund të përballohen dallimet në politikën e jashtme pasi sipas tij ato cenojnë tërësinë territoriale të Kosovës.

“Ne mund të përballojmë polarizimet për politika të brendshme, por nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme sepse ajo cenon tërësinë tonë territoriale, interesat tanë strategjik dhe integritetin tonë institucional. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë, në politikën e brendshme, humbin liderët dhe partitë, por kur nuk pajtohemi për synimet e përbashkëta në politikën e jashtme, humb shteti”, u shpreh kryeministri.

Sipas Kurtit, shteti është mbi individin.

“[Shteti] është i të gjithëve sepse i asnjërit, është i asnjërit sepse i të gjithëve. Shteti dhe vetëm shteti është sovran, askush tjetër, asnjëherë. Populli është burim i sovranitetit. Populli është burimi i vetëm i sovranitetit dhe kuptimi i sovranitetit të shtetit”, shtoi Kurti.

Kreu i Qeverisë mes tjerash shtoi se është interes strategjik e jetik, aleanca e përhershme me SHBA-të.

“Kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta e të përkohshme, pasi ne ndajmë aspirata të përbashkëta të një shoqërie të lirë e të hapur, të bazuar në të drejtat e njeriut, në ekonomi e tregut dhe me barazi në mundësi. Këtë aleancë nuk mund ta cenojë e as ta prish askush”, theksoi ai.

Kurti theksoi se SHBA-të e duan një Kosovë të fortë e të pavarur që e avancon demokracinë.

“FSK mund të ngjajë ushtri e vogël, por ajo është një partnere e denjë e SHBA-së dhe e NATO-s që është e gatshme të mbrojë idealet e lirisë për të cilat edhe dhanë jetën familja Jashari. Aleanca e Kosovës me NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi edhe në NATO edhe në BE duhet përshpejtuar”, përfundoi kryeministri.

Kryeministri Albin Kurti brenda 2 muajve të fundit i ka bërë ftesë dy herë për t’u takuar presidentit Hashim Thaçi për koordinim lidhur me politikën e jashtme të vendit, por deri më tani nuk kanë zhvilluar ndonjë takim.

Të dy liderët institucionalë kanë zhvilluar takime ndarazi në vizitat zyrtare jashtë vendit.

Pas presionit ndërkombëtar, Presidenti Thaçi ka bërë thirrje që tarifa 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake të hiqet ndërkaq Kryeministri Kurti ka paralajmëruar heqjen e pjesërishme të vendimit duke filluar nga 15 marsi.

LIVE Parakalimi i FSK-së në 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

LIVEParakalimi i FSK-së në 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 5 mars 2020