Bankomat - Foto: REL/Reuters

Kur pritet të shpërndahen subvencionet nga Komuna e Prishtinës për bletari dhe pemëtari?

Komuna e Prishtinës, nga datat 20 tetor deri më 3 nëntor të vitit të kaluar, kishte ftuar qytetarët e Komunës që të aplikojnë për përkrahje në blegtori, bletari, perimtari, pemëtari dhe shpezëtari.

Në bazë të buxhetit të ndarë nga Komuna e Prishtinës, për përkrahje të blegtorisë janë ndarë 150 mijë euro, për pemëtari janë ndarë 70 mijë euro, për bletari janë ndarë 50 mijë euro, për shpezëtari janë ndarë 40 mijë euro, ndërsa për perimtari janë ndarë 20 mijë euro.

Edhe pse këto përkrahje janë paraparë të ndahen në fund të vitit të kaluar për disa kategori nuk janë ndarë ende.

KALLXO.com ka pranuar një raportim nga një qytetar i cili ka dashur të mbetet anonim, se për sektorin e pemëtarisë dhe të bletarisë pasi kanë përfunduar të gjitha proceduat, dhe janë përzgjedhur qytetarët të cilët do të përfitojnë nga Komuna në këto përkrahje, të njëjtat janë anuluar dhe pagesat nuk i janë bërë qytetarëve.

Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Shkumbin Gashi ka thënë për KALLXO.com se proceduat për kategorinë e pemëtarisë dhe bletarisë nuk janë anuluar por janë ende në proces.

“Bletaria dhe pemëtari janë ende në procedurë e sipër të implementimit, dhe ende nuk janë kryer pagesat”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë të ditur se përkundër faktit se afati i planifikuar që të përfundoj aplikimi ka qenë me 3 nëntor, duke pasur parasysh numrin e madh të fermerëve, gjatë aplikimit, ky afat është shtyrë deri më 6 nëntor 2020.

“Sa i përket subvencioneve – pagesave direkte kanë aplikuar gjithsejtë 952 fermer në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, të gjitha mjetet janë shpërndarë tek fermerët në fushat e blegtorisë, shpezëtarisë dhe perimtarisë të cilët i kanë plotësuar kushtet e aplikimit. Përjashtim në implementimin e deri tek pagesat kanë sektorët e bletarisë dhe pemëtarisë, ku këto dy fusha janë në proces e sipër të implementimit, dhe ende nuk janë kryer pagesat”, ka thënë Gashi.

Drejtori për Bujqësi ka thënë se tek kategoritë blegtori, shpezëtari, dhe perimtari ku janë përfunduar të gjitha procedurat, përfshi edhe shpërndarjen e fondeve, ka mundësi që për gabime teknike (nr. llogarive, aspekte të tjera administrative) nuk i janë shpërndarë ndonjë individi.

Ndërsa ka dhënë arsyetim për mos kryerjen e pagesave në bletari dhe pemëtari, duke thënë se pandemia dhe mungesa e stafit kanë ndikuar që shpërndarja të bëhet.

“Arsye se pse për këto kategoritë e bletarisë dhe pemëtarisë nuk janë kryer procedurat, e as shpërndarja, ka të bëjë me pengesat operacionale të shkaktuara nga pandemia, mungesa e stafit, reduktimi i stafit për shtresat e rrezikuara (mosha, gjendja shëndetësore, infektimet e stafit), dhe aspekte të ndërlidhura me natyrën operacionale që kanë shtyrë afatet në shume sfera brenda komunës, përfshi edhe drejtorinë tonë”, u shpreh Gashi.
Sipas Gashit, në shtyrjen e këtij procesi ka ndikuar edhe emergjencat atmosferike dhe emergjencat rreth dëmeve që janë shkaktuar si pasojë e këtyre emergjencave.

“Situata e paprecedentë e COVID- 19, mungesa akute e stafit, dhe masat emergjente që drejtoria është marrë gjatë kësaj periudhe (administrimi i lejeve të lëvizjeve), emergjenca e dëmeve atmosferike, në vitin 2020 kanë shtyrë përfundimin e procedurave për këto dy kategori”, ka thënë Gashi.

Drejtoria për Bujqësi ka bërë të ditur se kanë paraqitur kërkesën me 8 shkurt 2021, për bartjen e mjeteve, për subvencionimin e këtyre dy kategorive dhe në momentin që marrin zotimin do të fillojnë menjëherë me vizitat në terren dhe me procedurat deri të shpërndarja e fondeve tek fermerët e kualifikuar.