FOTO ARKIV: Xhabir Zharku

Kthimi i Xhabair Zharkut në Kosovë, reagon KMLDNJ

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, përmes një reagimi kanë kritikuar ligjshmërinë e kthimit të ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharkut në Kosovë.

“Kohë më parë është kthyer në Kosovë ish – kryetari i Kaçanikut , Xhabir Zharku , i dënuar me një dënim prej 3 viteve burg për shkak të një vepre penale që konsiderohet si e rëndë dhe që paraqet rrezik për siguri të shoqërisë dhe shtetit . Ky dënim kishte marrë plotfuqishmërinë pas së cilave , nëse në një afat të paraparë me ligj , i dënuari nuk shkon në vuajtje të dënimit sipas ftesës së organeve të autorizuara , atëherë është dashur të bëhet ekzekutimi i detyrueshëm e i cili nuk ishte bërë”, thuhet në reagim e KMDLNj.

Të njëjtit kanë përmendur edhe rastin e Leme Xhemës, ish-drejtoreshës së PTK-së.

“Gjithashtu , edhe Leme Xhema , e dënuar për shpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte udhëheqëse e PTK –ës , pas plotëfuqishmërisë së dënimit dhe pa mundësi shtesë të ankimimit , iku nga vuajta e dënimit duke u strehuar në një komunë të Serbisë ku , gjithashtu , duke u bërë zyrtare e shtetit të Serbisë gëzoi mbrojtje deri sa i fitoi “ të drejtat “ të kthehet në Kosovë , pa i hyrë një ferrë në këmbë dhe kthimin e saj e përcolli me muzikë në qendër të Prishtinës , sikur të festohej përvjetori i pavarësisë së Kosovës dhe jo kthimi i një të dënuare për një vepër penale që ka abuzuar me paratë e qytetarëve dhe e ka dëmtuar shtetin”, thuhet më tej në reagim.

KMDLNj ka theksuar se Xhabir Zharku e kishte më lehtë duke pasur nënshtetësi suedeze dhe , si i tillë ishte përfitues i beneficioneve të shtetit suedez ndonëse ishte dënuar në Kosovë për aktivitete kriminale.

“Sipas deklaratave të të dënuarit Zharku motivi i kthimit të tij në Kosovë ishte dëshmimi i pafajësisë dhe dëshira e tij për ta zhvilluar Kosovën e që lirisht mund të llogaritet si krim i dytë apo përqeshje me ligjin. Ka edhe shumë raste të tjera kur të dënuarit i janë shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur nga Kosova deri në kohën e parashkrimit absolut të dënimit për t’u kthyer pastaj , thuaja si heronj. Meqë këta nuk janë persona publikë , as opinioni nuk është fort i interesuar për rastet e tyre”, thuhet në reagim.

Në këtë reagim më tej thuhet se “sipas ligjeve në fuqi , të gjithë qytetarët e Kosovës por edhe të huajt që kanë qëndrim të lejuar në Kosovë duhet të trajtohen pa dallime dhe pa diskriminime para gjykatave , qoftë gjatë procesit gjyqësorë , gjatë gjitha fazave të ankimimit sikur edhe gjatë vuajtjes së dënimit , me burg efektiv apo dënime tjera alternative”.

KMDLNj pati kritika edhe për Gjykatat e Kosovës ku tha se po bëjnë gabime kur nuk po marrin masa sigurie ndaj të dënuarëve.