KMDLNj: Qytetarët e Prishtinës, minj eksperimental

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj) ka reaguar lidhur me gjendjen e shkaktuar në rrugët e kryeqytetit si shkak i testimit të rrugëve njëkahëshe.

KMLDNJ ka  thënë se qytetarët e Prishtinës po trajtohen si minj eksperimental të një eksperimenti të çmendur të Komunës së Prishtinës.

Sipas tyre, testi që po zhvillohet, ndoshta me qëllim të mirë, po paralizon qarkullimin e trafikut dhe qytetarëve.

Ata potencuan se deri sot, ky test është bërë vetëm në fundjavë, e jo në ditën më të ngarkuar të javës, siç është e premtja, që sipas tyre, është jashtë çdo logjike.

KMLDNJ potencoi edhe rastet kur dikush ka nevojë urgjente për ambulance ose për ndonjë intervenim tjetër urgjent, kush do e marr përgjegjësinë për vonesën.

Tutje, në reagim u theksuan edhe vonesat që u janë shkaktuar shumë nxënëseve e personave të punësuar.

Sipas tyre, komuna e Prishtinës duhet të kujdeset që të mos lejojë automjetet e rënda që të frekuentojnë rrugët kryesore, e jo këto praktika.

KMLDNJ shtoi se Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje andaj, ose duhet të ndërpresë këto eksperimente, ose duhet të kërkohet përgjegjësi për projektuesit dhe zbatuesit e këtij kaosi.

Sipas tyre, ky kaos krijon një situatë tensionuese, më shumë aksidente sikur edhe ngatërresë midis vozitëve, nga fyerjet verbale e deri te përleshjet fizike. Policia e Kosovës, në këtë rrethana është krejtësisht e pafuqishme për të vendosur rregull në trafik, thuhet në reagim.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të KMLDNj-së lidhur me testimin e rrugëve në Prishtinë:

“Reagim i KMDLNj – së:
QYTETARËT E PRISHTINËS, MINJË EKSPERIMENTAL TË NJË EKSPERIMENTI TË ÇMENDUR!

Me propozim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, qe një kohë po zhvillohet një eksperiment, ndoshta me qëllim të mirë për shkarkim të trafikut përmes shndërrimit të unazës së madhe një një rrugë njëdrejtimëshe duke ngarkuar shumë rrugët “Agim Ramadani“ dhe “Luan Haradinaj“ përkatësisht duke i shndërruar në një kaos që paralizon qarkullimin e trafikut por edhe të qytetarëve. Deri më tani ky eksperiment ishte provuar vetëm të shtunave dhe të dielave, ditëve kur trafiku edhe ashtu shkarkohej shumë duke shkaktuar vështirësi por jo, as përsëafërmi në masë sikur ndodhi sot në Prishtinë. Të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës (dita e premte) nuk mund të interpretohet ndryshje përveç se një veprim jashtë çdo logjike apo kontribut për shkaktim të qëllimshëm të kaosit në trafik. Prishtina, edhe ashtu këto rrugë që alkimistët e injorancës po i bllokojnë thuaja tërësisht, i ka dy arteriet kryesore që e bartin peshën e trafikut në qytet prandaj është papërgjegjësi e madhe t’i nënshtroni qytetarët një stresi të tillë duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke shkaktuar çrregullime në të gjitha segmentet e jetës.

Paramendoni nëse dikush, për shkaqe shëndetësore ka nevojë që të shkojë urgjentisht te mjeku apo që autoambulanca e ndihmës së shpejtë duhet të shkojë në një adresë ku një i sëmurë ka nevojë për intervenim urgjent dhe ku jeta e tij matet me minuta e jo me orë? Kush e merr përgjegjësinë për këtë ?! Personat e papërgjegjshëm, sigurisht jo sepse, në të kundërtën nuk do të vepronin siç po veprojnë. Sa i punësuar është vonuar për punë apo nxënësi për shkollë për shkak të këtij eksperimenti të çmendur. Komuna e Prishtinës duhet të ofrojë mundësi tjera lehtësuese në rast se eksperimenton e jo, një trafik të stërngarkaur ta shndërrojë në kaos. Komuna e Prishtinës duhet të kujdeset që të mos lejojë automjetet e rënda që të frekuentojnë rrugët kryesore që, përveç dëmeve që i shkaktojnë asfaltit dhe infrastruktures rrugore, jashtëzakonisht e rëndojnë lëvizjen e veturave tjera. Përveç kaosit ngulfatës, komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje andaj, ose duhet të ndërpresë këto eksperimente jonormale, ose duhet të kërkohet përgjegjësi për projektuesit dhe zbatuesit e këtij kaosi në trafik. Ky eksperiment i vë në situatë të rëndë edhe banorët të cilët, për shkak të kufizumeve që prodhon ky eksperiment, nuk mund të lëvizin me automjetet e tyre, as për të shkuar në punë e as për përmbushje të nevojave tjera.

Ky kaos krijon një situatë tensionuese, më shumë aksidente sikur edhe ngatërresë midis vozitëve, nga fyerjet verbale e deri te përleshjet fizike. Policia e Kosovës, në këtë rrethana është krejtësisht e pafuqishme për të vendosur rregull në trafik. Këtij kaosi i ndihmon shumë edhe reduktimet e rrymës që lënë jashtë përdorimit semaforët dhe as për këtë komuna e Prishtinës nuk ka bërë zgjidhje. Prishtina nuk ka metro, në këto rrethana edhe qarkullimi i mjeteve të rafikut urban është i kufizuar duke shkaktuar probleme zinxhirore.

Për KMDLNj –ë është e arsyeshme që këto kufizime të zbatohen gjatë fundjavës dhe ditëve të festave por në asnjë mënyrë ditëve të punës. Komuna e Prishtinës duhet sa më parë të ndërprejë këto praktika të mbrapshta sepse, edhe ashtu, mjaftueshëm është duke i shkelur të drejtat e njeriut përkatësisht lirinë e lëvizjes”.

 

Komuna e Prishtinës për të tretën herë teston qarkullimin në unazën qendrore të qytetit